Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se domosdoshmërisë për përkrahje institucionale, për të rritur cilësinë e jetës dhe mirëqenies së personave me aftësi të kufizuar, i janë përgjigjur duke funksionalizuar këshillin për personat me aftësi të kufizuar dhe duke miratuar planin e veprimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023).
Kurti këto komente i bëri në hapje të konferencës së shënimit të Javës Ndërkombëtare të të Shurdhërve dhe Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, ku tha se me programin qeverisës janë zotuar të punojnë për një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me mundësi për të gjithë.
Sipas Kurti, kjo do të arrihet duke promovuar dhe respektuar diversitetin dhe barazinë, si dhe nëpërmjet garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personave me nevoja të veçanta.
Kryeministri Kurti theksoi se personat e shurdhër, përballen me vështirësi të shumta dhe jo rrallë herë jetojnë të izoluar dhe të përjashtuar nga familja dhe shoqëria.
“Domosdoshmërisë për përkrahje institucionale, për të rritur cilësinë e jetës dhe mirëqenies së personave me aftësi të kufizuar, i jemi përgjigjur duke funksionalizuar këshillin për personat me aftësi të kufizuar, dhe duke miratuar planin e veprimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023)”, tha ai.
Sipas njoftimit të Qeverisë, konferenca e sotme është organizuar nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit-Zyrën për Qeverisje të Mirë.
“Shënimi i 23 shtatorit si Ditë Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave vjen nga Rezoluta A/RES/72/161 e Kombeve të Bashkuara e miratuar në vitin 2017. Gjuha e Shenjave Kosovare, e njohur edhe si GJSHK, është një gjuhë natyrore e komunitetit të shurdhër të Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka njohur gjuhën e shenjave kosovare më 29 shtator 2010. Është vlerësuar se gjuha e shenjave kosovare është gjuha amtare/gjuha e parë për 5 000 njerëz të shurdhër në Kosovë. Gjuha e Shenjave Kosovare përdoret edhe nga personat gjysmë të shurdhër ose edhe nga personat që dëgjojnë, për shembull, anëtarët e familjes së personave të shurdhër, miqtë, bashkëpunëtorët, interpretët e gjuhës së shenjave dhe entuziastët e gjuhëve të tjera”, thuhet në njoftim.