Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i pari që mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca në Kosovë.
Pas reagimeve të shumta që kishte lidhur me këtë çështje, Kurti tha se po të ishte vaksina e Pfizerit apo Moderna nuk do ta merrte i pari, por tha se këtë e bëri për shkak të reputacionit të lënduar të vaksinës AstraZeneca në botë.
“Sa i përket vaksinës, po të ishte vaksina Pfizer apo Moderna unë nuk do ta merrja, por vetëm pse ishte AstraZeneca, që ka një reputacion të lënduar sot në botë, jo vetëm në rajonin tonë, kam konsideruar që është e udhës ta marrë i pari vaksinën, dhe kurrfarë synimi tjetër për të privilegjuar vetën apo për të qenë thjesht i pari nuk ka pasur. Një brend tjetër i vaksinës nuk do të më bënte mua të parin që ta marrë vaksinën”, ka thënë Kurti në seancën e sotme të Kuvendit.
Kosova mbrëmjen e 28 marsit pranoi një kontigjent prej 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca./UBTNews