Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, dje mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Kosovës për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.
Gjatë vitit 2023 Komiteti Paralimpik i Kosovës, u anëtarësua në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian, me të drejta të plota duke mundësuar në këtë formë pjesëmarrjen në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”. Ndërkohë me përfaqësuesin e vetëm nga vendi ynë, paraatletin Grevist Bytyçi, Kosova arriti që të debutojë në këto gara, saktësisht në garën e vrapimit 1500 metra në kategorinë T46 të cilën ai e përmbylli në pozitën e 15-të.
Duke e cilësuar si moment krenarie dhe arritje historike për Kosovën, kryeministri Kurti shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij të thellë ndaj garuesit tonë për emocionet që ai na dha me përfaqësimin me dinjitet të vendit.
Kryeministri Kurti përmendi edhe mbështetjen që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila me anë të investimeve të saj ka për qëllim rritjen dhe zhvillimin e sportit paralimpik, teksa shtoi se nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike. “Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sporti”, tha kryeministri.
Ai shtoi se përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike, e ku totali i buxhetit të të dyjave arrin gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024.
Fjalën e tij, kryeministri Kurti e përmbylli duke thënë se me një përkushtim të këtillë dhe me pasionin e me zellin e sportistëve, jemi të sigurt se së bashku do të arrijmë edhe suksese të tjera.
“Le t’i fuqizojmë përpjekjet tona, le t’i bashkojmë forcat tona, dhe le të nxisim talentet që të arrijnë majat e sportit”, nënvizoi kryeministri.