“Mënyra më e përshtatshme që një qeveri mund të shprehë falënderimet e saj ndaj një organizate të huaj ndihmëse është t’ia dëshmojë asaj se nuk është më e nevojshme. Dhe gjithashtu, komplimenti më i lartë që mund t’i bëj ambasadorit Wigemark, teksa mbylli tri vjet e gjysmë shërbim të shquar, është se nën udhëheqjen e tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është bërë, në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë”, kështu u shpreh mbrëmë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pritjen lamtumirëse për nder të shefit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigermark, në përfundim të mandatit të tij.
Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën e tij në krye të kësaj organizate, siç u bë e ditur në komunikatë, kryeministri tha se qëllimi përfundimtar i institucioneve të huaja të ndihmës nuk është të qëndrojnë përgjithmonë në vendet që ata ndihmojnë. Përkundrazi, është për t’i përgatitur ato vende që të qëndrojnë në këmbët e tyre.
Sipas kryeministrit Kurti, sundimi i ligjit në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vitet e fundit.
Megjithatë, Kurti e veçoi rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij në javët e fundit në Mitrovicën e veriut, ku sundimi i ligjit ende nuk është vendosur plotësisht.
“Ai falënderoi gratë dhe djemtë e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi. Kryeministri përmbylli fjalën e tij duke ngritur një dolli për ambasadorin Wigemark për gjithçka që ai ka bërë për vendin tonë dhe popullin tonë, duke shpresuar që Ambasadori Lars, të vijë e ta vizitojë Kosovën sa më shpejtë dhe aq shpesh sa e lejojnë angazhimet e tij të ardhshme”, u bë e ditur në komunikatë.