UBT News

Kurti përsërit: Në momentin kur hiqen barrikadat shtyhet zbatimi i vendimeve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk e ka të lehtë përballjen me strukturat ilegale të Serbisë për shkak se ato mbështeten nga aparati shtetëror i Serbisë.

“Mbrëmë ka pasë të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës dhe nëntë barrikada me njerëz të armatosur në to të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete dhe ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale agresive si rrallë herë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë, sepse ato i mbështet i tërë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda dhe të qarta të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria. Fatmirësisht nuk ka të plagosur me armë zjarri siç u lajmërua rrejshëm nga ndonjë portal. Ju lutemi të gjithë qytetarëve që të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare nga Qeveria, MPB-ja dhe Policia e Kosovës”.

Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës, në veçanti zyrtarët policorë në veri të Ibrit, për të cilët thotë se kanë vepruar me profesionalizëm dhe kanë qëndruar me guxim.

Shefi i qeverisë kosovare ka ripërsëritur se në momentin kur hiqen barrikadat do të shtyhet zbatimi i masave të reciprocitetit, njofton Klankosova.tv.

“Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak ende mbeten të mbyllura, sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpien atje. Në të gjitha pikat e tjera kufitare po lëshohet dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia me validitetit 90 ditor. Deri në ora 12:00 gjithsej 1501 qytetarë janë pajisur me këtë dokument nëpër vendkalime kufitare duke pritur mesatarisht 20 sekonda për këtë gjë. Qeveria e Kosovës e përsërit zotimin që në momentin që kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes shtyhet zbatimi i dy vendimeve të qeverisë. Janë gjithsej nëntë barrikada dhe presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha. Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjëra prej tyre”./klankosova.tv.

Exit mobile version