UBT News

Kurti përplaset me opozitën: Nevojitet një seancë e mbyllur kur ki deputetë që flasin palidhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përplasur me shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, në interpelancën e sotme ndaj tij për situatën e krijuar në veri.

Kreu qeveritar, madje ka thënë se duhet një seancë të mbyllur, “kur ki deputetë që flasin kaq pa lidhje”.

“Unë e kam shumë të vështirë të diskutojmë për strategji dhe platforma me dikë që thotë se nuk na interesojnë rrugët që shtrohen në veri. Në njërën anë, nuk më interesojnë rrugët që shtrohen në veri, ndërsa në anën tjetër tregona strategjinë. Për kënd je duke punuar ? S’më interesojnë rrugët që shtrohen në veri, por tregoma strategjinë. Jo vetëm kjo, por edhe ajo çka tha deputeti Tahiri, ku tha se ‘kemi policë aq sa t’i mbrojnë ndërtesat atje’. Kjo është sikur t’i bësh thirrje Serbisë. Prandaj unë po pajtohem me deputeti Hoxhaj i cili tha se na nevojitet një seancë e mbyllur ke deputetë që flasin kaq pa lidhje”, tha ai.

Atij i reagoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Urdhëro dil në foltore dhe thuaje numrin e saktë të policëve sa i ke në ato stacione policore. Duhet ditur gjendjen që e ki dhe e cila është e mjerueshme”, tha ai.

Më i ashpër u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se kryeministri Kurti po shndërrohet në fatkeqësi për vendin.

“Edhe kur i hapte krahët dhe bërtitke ‘Amelika, Amelika, Grenelli, Grenelli’, thoshte në këtë kuvend që nuk i shtrihem Amerikës me konotacione dhe implikime që ishin të papranueshme në këtë parlament. Kryeministri fatkeqësisht po shndërrohet në fatkeqësi për vendin”, tha Gashi.

Atyre iu reagoi sërish kryeministri Kurti, i cili tregoi edhe detaje nga biseda me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

“Ambasadori amerikan kur më ka thirrur mua, teksa kthehesha prej Tiranës për Prishtinë, pasi prej Frankfurtit aterrova në Tiranë, pasi s’kisha lidhje të tjera që të arrija sa më shpejt në Prishtinë, unë kam biseduar me të dhe ai e ka shprehur brengën e sigurisë për mëngjesin e nesërm. Ai nuk ka thënë 10 muaj, ai ka thënë se shteti i Kosovës është në rregull, është i drejtë dhe efikas. Por mëngjesi i ditës së nesërme është problem. Ai ka kërkuar shtyrje, por nuk ka thënë 10 muaj por 48 orë. Pra brenda 48 orëve ka ndërruar komplet deklarata e Borrellit”, tha ai.

Derisa foli edhe për planin franko-gjerman.

“Bazë të mirë për të diskutuar mbi të. Nuk është merre ose lëre. Nuk më pëlqen gjithçka aty, ka shumëçka që duhet të diskutohet. Ama ajo çka nuk e kam pranuar asnjëherë, është që nga 33 marrëveshjet e kaluara, të përzgjedhim si një tryezë suedeze, pikërisht asociacionin e komunave serbe. Në anën tjetër, çfarëdo propozimi që bëhet të ardhmen, asgjë tjetër s’ka rëndësi sikur asociacionit. Ky lloj përzgjedhje e dyfishtë nuk është e pranueshme nga ana ime”, deklaroi ai.

Në anën tjetër përmendi edhe çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Unë nuk dua t’i mohoj se janë bërë 33 marrëveshje, por unë s’i kam nënshkruar dhe duhet t’i shqyrtojmë. Barra e provës është tek ai që i dëshiron ato marrëveshje, jo ne. Kur vjen çështja te pakicat le t’i thotë Beogradit, se unë mendoj se kjo zgjidhet me asociacionin, unë nuk mendoj se kjo zgjidhet me asociacionin”, tha Kurti.

Megjithatë, Kurti tha se në vëllimin e punës që bën, dialogu me Serbinë nuk është prioritet numër një dhe as dy.

Exit mobile version