Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Rogovës së Hasit. Në llogarinë e tij në Facebook, Kurti shkroi se përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës të cilat nuk vjetrohen dhe se Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia.
Ai ka përkujtuar 21 ushtarët e UÇK-së dhe nëntë civilët që ranë atje.
“Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, forcat e armatosura serbe i vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës. Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë luftëtarët dhe civilët e rënë për liri, që me sakrificën e tyre e shtruan rrugën deri te ҫlirimi i Kosovës nga Serbia okupatore. Atëbotë ranë duke luftuar 21 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëntë civilë shqiptarë”, shkroi kryeministri Kurti mes tjerash.