25-vjetori i masakrës në burgun e Dubravës është kujtuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili i nderoi dhe përkujtoi me homazhe të vrarët.
“Pranverën e majit, nga 19 e deri më 24 maj të vitit 1999, u vranë e u masakruan 116 të burgosur dhe një u zhduk, nga 980 sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës. Prej tyre 771 i mbijetuan kësaj masakre, ndërsa 185 mbetën të plagosur nga forcat serbe. Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i së vërtetës së Kosovës”, tha kryeministri Albin Kurti, teksa theksoi se emrat e skalitur në memorialin e 116 të vrarëve në këtë masakër, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës.
Kryeministri Albin Kurti tha se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi.
“Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të qëndresës së popullit tonë”, shtoi kryeministri Albin Kurti.
Ai përmendi edhe tri gjeneratat që përfshijnë të burgosurit politikë përgjatë tri dekadave.