UBT News

Kurti: Perëndimi po gabon duke e quajtur Serbinë partnere të besueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një diskutimi në Zvicër të organizuar nga Shoqëria Zvicerane për Politikë të Jashtme, ka kritikuar qëndrimet e Serbisë ndaj rajonit dhe rolin e saj në politikën ndërkombëtare. Kurti e akuzoi Beogradin se vijon të ndjekë politikën e projektit “Serbia e Madhe” dhe se mashtron Perëndimin me veprimet e saj.

Sipas Kurtit, Serbia vazhdon të përfaqësojë interesat e Rusisë dhe Kinës në Ballkan, duke e cilësuar atë si një “portë” për ndikimin rus dhe kinez në Evropë. “Perëndimi po gabon duke gjykuar Serbinë si një partnere të besueshme,” tha Kurti, duke kritikuar qasjen e vendeve perëndimore ndaj Beogradit.

Kryeministri i Kosovës theksoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij për të pasur ndikim në Kosovë, dhe se ideja e “Serbisë së Madhe” vazhdon të jetë një projekt i gjallë në politikën e Beogradit, edhe pse në forma të tjera.

Kurti bëri thirrje që vendet e Evropës dhe Ballkanit të jenë të përgatitura për mundësinë e një hakmarrjeje nga Serbia. Në lidhje me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai theksoi se fitorja e Donald Trump nuk përbën asnjë rrezik për Kosovën.

Exit mobile version