UBT News

Kurti për vrasjen e vëllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zeka: Ne do të bashkëpunojmë me të tjerët, që të zbardhet e vërteta

Në 40-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizituan kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.

Aty u pritën nga Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Nga aty, kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, bënë homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim, si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi”, tha ai.

Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, kryeministri i Republikës së Kosovës, sot, në 40-vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë.

Exit mobile version