Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot do të shkojë për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) gjatë kësaj pranvere, pasi një vizitë e tillë ishte paralajmëruar në nëntor e më pas edhe në janar, por që nuk u realizua.
Ai tha se për të shkuar në SHBA duhet më shumë se 10 ditë qëndrim, pasi shteti është i madh dhe do të ketë takime të shumta.
“Sa i përket vizitës në SHBA, besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tri ditë atje. Dua të shkoj për 10 ditë ose dy javë, sepse është edhe një shtet më i madh, por edhe takimet që dua t’i bëj atje do jenë edhe më të shumta se sa në Evropë, ku mund të shkosh edhe për dy ditë. Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi jemi detyruar ta shtyjmë muaj pas muaj, por nuk vjen në shprehje rishikimi i buxhetit në mes vit pa shkuar unë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe unë jam interesuar shumë dhe kjo do të ndodhë në këtë pranverë. Por, jo vetëm që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Pra, do të shkoj e do të qëndroj më gjatë se sa në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Këto komente Kurti i bëri në një konferencë për media ku bëri të ditur se do të subvencionohen bujqit për karburante në vlerë prej 0.36 centë për litër.