I pari i qeverisë së vendit, Albin Kurti, ka folur për çështjen e konvertimit të targave nga ana e serbëve të Kosovës.
Ai tha se pengesa nuk është mosinformimi, por është terrori nga ana e Beogradit që u bëhet serbëve të Kosovës, të cilët sipas tij kërcënohen dhe sulmohen edhe me djegie të veturave të tyre kur ata tregojnë gatishmëri për tu integruar në sistemin e Kosovës.
Për këtë gjë, Kurti tha se njoftoi përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Me këtë rast, unë pata takim edhe me Josep Borrell, të cilin e infromova për këto djegie dhe sic e keni parë, pas takimit ai e dënoi aktin kriminal të djegies së këtyre veturave nga njerëz të orkestruar nga struktura që janë kriminale në veri e natyrisht që nuk mund të mbijetonin e lërë më të vepronin pa ndihmën dhe mbështetjen e Beogradit”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai foli edhe për mos-zbatimin e vendimit të qeverisë nga ana e Policisë së Kosovës të komunitetit serb në veri të vendit, ku tha se i përket organeve të sigurisë të merren më këtë çështje.
“Është një gjë kur dështon zbatimi i vendimit dhe është një gjë tjetër kur dikush bën thirrje të mos zbatohet vendimi, përveç që tregon se nuk do ta zbatojë ai ose ajo vet”.
“I përket organeve të sigurisë që të merren me këtë thirrje e cila qartazi është në shpërputhje me rendin dhe ligjin në Kosovë”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.