UBT News

Kurti për takimin me Lajçak: Ka përmirësim të atmosferës për njohjet, por jo hapa konkret

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka biseduar mbrëmë edhe për takimet e këtij të fundit me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Duke folur për pesëshen mosnjohëse, Kurti ka thënë se ka përmirësim të atmosferës për Kosovën në raport me njohjet por nuk ka hapa konkret.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se me njohjen e vendit nga pesë vendet mosnjohëse do të hapej plotësisht rruga për anëtarësim në NATO dhe në BE, për çka tha se nevojiten hapa konkret.

“Ai na tregoi neve edhe për takimet që i ka pasur dhe në këto takime ka përmirësim të atmosferës për Kosovën në raport me atë që është e nevojshme për neve, pra njohja, mirëpo nuk ka hapa konkret dhe unë besoj që duhet angazhim shumë më i madh që të kemi hapa konkret. Pesë shtetet që nuk e njohin ende Kosovën nëpërmjet njohjes së tyre do të na e hapnin plotësisht rrugën për integrim në NATO dhe në Bashkim Evropian dhe kjo është tejet e rëndësishme për neve, natyrisht që po të kishim ne mundësinë për ulëse në OKB gjithçka do të ishte më kollaj por duke pasur parasysh se në Këshillin e Sigurimit të OBK-së e kemi Federatën Ruse dhe Kinën, ajo minimumi çka qytetarët e Republikës së Kosovës presin është që pesë shtetet demokratike evropiane t’i bashkohen shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Exit mobile version