Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me rastin e 11-vjeçares që u dhunua nga pesë burra në kryeqytet. Sipas Kurtit, nuk mjaftojnë dy dorëheqje.
Ai ka adresuar kritika ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), që siç thotë Kurti po heshtin në lidhje me rastin e dyshuar të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
“Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve? Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç. Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve. Po atë ditë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe u.d. Kryeprokurorin e Shtetit. U theksua si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor. Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin”, shkroi mes tjerash Kurti
Ai theksoi se është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Kryeministri Kurti shkroi se mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.
Pesë të dyshuarit tashmë janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar nga një muaj paraburgim./UBTNews/