UBT News

Kurti për kërcënimet ndaj Martyt: Koha e fundit që QUINTI në Beograd dhe BE ta ngrisin këtë çështje për diskutim

I pari i Qeverisë, Albin Kurti ka folur për raportimet se senatori, Dick Marty, është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe për t’i fajësuar kosovarët.

Kryeministri Kurti tha se shteti i Kosovës gjithmonë e ka ditur se kush është Serbia, për çka thotë se tani është koha e fundit që QUINTI në Beograd dhe Bashkimi Evropian ta ngrisin këtë çështje në strukturat më të larta shtetërore në Serbi.

“Sa i përket çështjes Marty, ku kësaj radhe nuk është autor por protagonist mund të themi që shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia, mirëpo unë shpresoj e uroj që QUINTI në Beograd, Bashkimi Evropian në përgjithësi ta ngrisin këtë çështje me presidentin atje dhe me të gjitha organet shtetërore, sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme e cila i tejkalon çfarëdo përmasash individuale, e përfshinë një shtet të tërë. Shërbimi sekret i Serbisë gjatë viteve të 70’ta e 80’ta jo vetëm të 90’ta ka vrarë shumë patriotë e veprimtarë shqiptarë. Andaj, këtë mënyrë të punës së shtyrë të mbrapsht ata e kanë të ushtruar ndër dekada. Ndër ata që u vranë është Jusuf e Bardhosh Gërvalla pra prindi dhe xhaxhai i ministres sonë të jashtme, dhe Kadri Zeka e deri të Enver Hadri e shumë të tjerë… Por në anën tjetër ne e dimë që edhe opinionin publik, në Serbi është i njoftuar për rastin Panda në Pejë ku janë vrarë të rinjtë që të fajësohet UÇK dhe më pastaj në emër të kësaj janë vrarë edhe civilët shqiptarë. Pra kjo është një metodë e njohur e shërbimit sekret serb në veçanti për shtetin dhe popullin e Kosovës që e ka përjetuar… Besoj që është koha e fundit që QUINTI në Beograd dhe Bashkimi Evropian ta ngrisin këtë çështje në strukturat më të larta shtetërore në Serbi”, theksoi Kurti.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri në një konferencë për media të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Kurti foli edhe për bashkëpunimin që do të kenë me shtetin zviceran për të marrë më shumë informacione për rastin e senatorit Dick Marty.

“Ne përmes Ministrisë tonë të Brendshme dhe jo vetëm do të bashkëpunojmë me shtetin zviceran për të mësuar më shumë për këtë rast por gjithashtu ne jemi të interesuar që kjo të zbardhet deri në fund. Sepse nuk mjafton që të bëhet denoncimi dhe të shpjegohet se në 16 muajt e fundit senatori Dicky Marti paska pasur një mbrojtje super speciale për shkak të një rreziku të panjohur për neve deri më tani. Pra, nuk mjafton ky denoncim duhet të sqarohen shkaqet, rrethanat dhe informacioni tjetër sepse qartazi nuk ka të bëjë vetëm me Dicky Martin por ka të bëjë edhe me Kosovën dhe shqiptarët”, theksoi Kurti.

“Mise au Point” ka publikuar një hulumtim për Dick Martyn, ku zbulohet që ish-prokurori , është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe dhe e gjitha kjo t’i vishet kosovarëve, me të vetmin qëllim – diskreditimin e Kosovës.

Exit mobile version