Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po angazhohen që mos t’i lejojnë punëtorët të largohen nga shërbimi shëndetësor në Kosovë.
Megjithatë, ai e quajti si të fryrë raportimet për ikjen e mjekëve nga sektori publik, pasi tha se nuk paraqet realitetin.
“Ne punojmë dhe angazhohemi që mos të shkojnë punëtorët nga shërbimi shëndetësor i Kosovës. Një pjesë e tyre edhe kalojnë në sektorin privat, disa shkojnë edhe jashtë vendit, por besoj se shifrat dhe përshtypja që krijohet është më e fryrë se sa realiteti. Nuk po them se nuk ka mjekë që nuk shkojnë, mirëpo nuk mendoj se është në rregull që çdo e dyta faji që flitet për shëndetësinë është të thuhet për mjekët që po shkojnë”, tha ai.
Pavarësisht kësaj, Kurti bëri thirrje profesionistëve shëndetësor që të kthehen dhe punojnë në sektorin publik.
“Profesionistët shëndetësor do të kenë trajtimin e dinjitetshëm në raport me shkollimin. Përveç pagës dhe shtesave standarde, profesionistet shëndetësor që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik ta kenë edhe shtesën e veçantë”, tha ai.
Këtë koment, kreu qeveritar e dha në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pas pyetjes së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj.