Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa ka folur shkurt për dialogun tha se tashmë Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje e jo vetëm dialog.
Kurti nuk ka komentuar takimin që zhvilloi dje me ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Pas takimit përmes një komunikate për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës u tha se temë diskutimi në këtë takim ishte dialogu Kosovë-Serbi e nevoja për dorëzim të Milan Radoiçiqit në Kosovë.
“Jo për besë ne kemi marrëveshje tashmë, jo vetëm dialog”, theksoi shkurt Kurti.
Këtë koment të shkurt, kryeministri i vendit, Albin Kurti e bëri pas ceremonisë së lansimit të projektit të Këshillit të Evropës “Nxitja e kohezionit shoqëror duke përforcuar të drejtat e pakicave dhe gjuhët e pakicave”.
Sa i takon projektit, Kurti u shpreh se Kosova ka bërë përparime domethënëse për pakicat në Kosovë.
Derisa tha se i pret shumë punë përpara, Kurti listoi edhe disa nga veprimet që kanë ndërmarrë si ekzekutiv për qasje të barabartë.
“Ne kemi qenë në gjendje të demonstrojmë përparim domethënës që nga opinioni i pestë i Komitetit Këshillimor me verifikimin e diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe bazën ligjore që kemi krijuar për verifikimin edhe të diplomave të shkollave të mesme nga shkollat që marrin mësim në gjuhën serbe. Me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit dhe mbledhjen e fundit të Këshillit zbatues dhe monitorues. Me krijimin e një grupi ndër institucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme në komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian i cili ka marr mbështetje të gjerë. Me rritjen e mbështetjes sonë për qendrat mësimore këtë vit me një çerek milionë euro për të mbështetur këta mekanizma thelbësor për suksesin arsimor për ata që janë më të margjinalizuarit”, tha ai.
Drejtori i të Drejtave të Barabarta dhe Dinjitetit në Këshillin e Evropës, Jeroen Schokkenbroek deklaroi se të drejtat e njeriut janë në zemër të misionit të Këshillit të Evropës, prandaj theksoi se në këtë botë komplekse mbrojtja e të drejtave të njeriut është më e rëndësishme se kurrë.
Sipas tij përmes iniciativave të tilla synohet ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse.
“Të gjitha këto iniciativa kanë synim të përbashkët ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse ku çdo person pavarësisht prejardhjes së tij të ndihet i respektuar dhe i fuqizuar. Ndërsa, shkojmë përpara misioni ynë mbetet i qartë të punojmë së bashku për të krijuar shoqëri më gjithëpërfshirëse të barabartë dhe të ndershme jo vetëm në Kosovë, por gjithë Evropën”, theksoi ai.
Ndërsa, shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Mary Ann Hennessey teksa shpalosi objektivat e projektit tha se synohet fuqizimi i kapaciteteve institucionale për respektimin e të drejtave të pakicave.
Ajo theksoi se projekti “Së Bashku” në kohezion shoqëror duke përforcuar të drejtave e pakicave kombëtare ka për qëllim të ofroj mundësi arsimi në gjuhën e pakicave.
“Objektiva e parë e këtij projekti është që të fuqizojmë kapacitetet institucionet që të sigurohemi që të respektohen të drejtat e pakicave si në nivel lokal ashtu edhe kombëtar duke e përfshirë Konventën në punën e institucioneve. Mbrojtja e pakicave të jetë pjesë e procedurave të punës, t’i përfshijmë në praktikat e qeverisë të fuqizojmë rendin dhe ligjin që të krijojnë një ambient më të sigurt për pakicat. Fuqizimi i institucioneve siguron një mbrojtje të vazhdueshme të pakicave…Projekti njeh rëndësinë e rëndësishme të gjuhën në ruajtjen e kulturë e trashëgimisë kulturore të udhëzuar nga Karta Evropiane projekti ka për synim të ofroj mundësi për arsim në gjuhët e pakicave kjo i fuqizon jo vetëm shoqërinë por edhe individët”, tha ajo.