Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për emisionin Hard Talk në BBC ka thënë se Serbia dëshiron që Kosova të bosnjëzohet por se ai nuk do të lejojë të ndodhë këtë pavarësisht nëse është në pushtet apo opozitë.
Kurti tha se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ndodhë pasi që kjo ishte edhe arsyeja se pse ai u votua.
Ai tha nëse pyetën serbët në Kosovë se cilat janë shqetësimet e tyre ata do të thonë se janë punësimi dhe drejtësia.
“Kur Asociacioni nuk u implementua, asnjë serb në Kosovë nuk protestoi. Ishte Beogradi që u zemërua. Në vitin 1991, më 26 prill, 14 komuna me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë u bënë bashkë e krijuan Asociacionin. Më 9 janar 1992, e shpallën pavarësinë, më 28 shkurt 1992, e bënë Kushtetutën e tyre, më 14 dhjetor 1995 në Dejton arritën njohjen ndërkombëtare. Duan ta përsëritin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, pavarësisht nëse jam në opozitë apo qeveri. Për këtë më votuan njerëzit, të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës. Jam i bindur se me programin tonë, do të ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse pyesni serbët në Kosovë se cilat janë shqetësimet e tyre kryesore, ata thonë punësimi dhe drejtësia. Beogradi dëshiron të ketë shtet brenda një shteti. Shtetin e Serbisë brenda Kosovës së pavarur”.