Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendosja e reciprocitetit për vendosjen e tabelave të përkohshme nuk është dëshirë e Kosovës, por imponim nga Serbia.
“Tabelat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër. Këto janë tabelat tona që janë të përkohshme për ata që vijnë me tabela të tjera, ndërsa ka 10 vjet që qytetarët tanë paguajnë për këto tabela që janë poshtë. Ne nuk i duam as këto, as këto, mirëpo derisa të këtë këso, do të ketë edhe këso”, tha ai.
Ai tha se vendosja e “tabelave provuese” për veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë nuk ka për qëllim destabilizimin e situatës.
Kurti në seancën e Kuvendit, para deputetëve shtoi se të gjitha tableta do të zëvendësohen, duke sqaruar se veprimet nuk janë kundër serbëve të veriut.
Krejt ky aksion, thotë ai është vetëm zbatim i marrëveshjes që e ka pranuar edhe vet Serbia.
Ai me këtë rast ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi nga të gjithë.
“15 shtatori i ketij viti, ka qenë data e fundit e që veturat me targa KS do të hyjnë nga Serbia në Kosovë. 5 ditë nga kjo datë, MPB sot ndërmori aksionin për konfiskimin e këtyre tabelave. Pavarësisht çfarë nacionaliteti janë ato tabela, duhet të konfiskohen që do të pajisen me tabela të përkohshme”.
“Si kryeministër iu siguroj se veprimet në veri nuk janë drejtuar ndaj qytetarëve serb e as nuk ka të bëjë me ndonjë destabilizim. Pres nga qytetarët se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, por që po fillon implementkmi i një marrëveshje që është pranuar nga vet Serbia”, u shpreh Kurti.
Policia e Kosovës ka filluar të heqë targat e veturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti ashtu siç deri sot kanë autoritetet serbe me veturat e regjistruara në Kosovë.
Veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë-kalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.