Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se në takimin e sotëm me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak theksoi nevojën që marrëveshja bazë të zbatohet tërësisht.
Sipas tij, BE-ja duhet ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes.
“Prita Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajcak në zyrat tona të qeverisë sot. Theksova nevojën që Marrëveshja bazë të zbatohet në tërësi, dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje”, shkroi Kurti në Twitter.
Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak bëri të ditur se të hënën do të ketë takim në Bruksel me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ai pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti u shpreh ishte një diskutim intensiv dhe të njëjtin do ta zhvillojë edhe nesër në Beograd.