Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për vizitën e tij të sotme në Leposaviq. Ai tha se bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë qëndruar në atje për të ofruar mamografinë falas për vajzat dhe gratë.
Kurti shtoi se kanë parë nga afër edhe një ndërtesë për ta kthyer në maternitet për lindje, pasi siç tha gratë e asaj pjese po shkojnë në Novi Pazar dhe fëmijët po regjistrohen si shtetas të Serbisë.
“Sapo erdha nga Leposaviqi, ku ishim bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë dhe drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë, dr. Zef Ndrejaj, meqenëse në Leposaviq për dy ditë do të qëndrojë mamografi për t’iu mundësuar kontrolle vajzave dhe grave, në mënyrë që të bëhet sa më shumë ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit, për parandalimin dhe diagnostikimin e tij, duke shkuar bashkë në çdo komunë të Republikës sonë. Kujtojmë që ky muaj shënon edhe tetorin rozë, si thirrje për ngritjen e vetëdijes për rrezikun e kancerit të gjirit, ku vetëkontrollet, vizitat mjekësore e mamografia, duhet të bëhen pjesë e rutinës, sepse janë të rëndësishme në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. Pas Leposaviqit, mamografi do të vazhdojë drejt komunës së Vitisë, gjersa më herët ka qenë edhe në komunën veriore të Mitrovicës. Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Leposaviq, bashkë me ministrin Vitia, pamë nga afër edhe një objekt, një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet, që i plotëson nevojat e grave nga Leposaviqi, në mënyrë që ato të mos kenë nevojë që ta kalojnë kufirin dhe të udhëtojnë me dhjetëra kilometra, edhe mbi 50 kilometra deri në Novi Pazar, ku më pastaj edhe po ua regjistrojnë foshnjat si qytetarë e si banorë të Serbisë”, tha ai.
Kurti para kabinetit qeveritar foli edhe për vendimin për rritjen për 20 për qind të pensioneve, ku tha se puna e tyre për mbështetjen e pensionistëve nuk do të përfundon me kaq, pasi fokus kanë edhe reformën e skemës pensionale.
“Puna jonë për rritjen e mbështetjes së pensionistëve nuk përfundon me kaq. Ajo vazhdon edhe më tej, konkretisht me punën tonë drejt finalizimit të reformës pensionale, e cila do të sigurojë që ata e ato të cilët kontribuuan më së shumti për këtë vend, të kenë edhe trajtimin përkatës e të dinjitetshëm. Gjatë këtij mandati tonë qeverisës, tash kur kemi hyrë në gjashtëmujorin e fundit, pensionet pra, ai bazik është rritur nga 90 në 120, për një të tretën, ndërkaq, në anën tjetër katër herë kemi pasur edhe mbështetje financiare të njëhershme nga 100 euro. Prandaj, të gjitha këto rritje janë bërë pikërisht për të zbatuar programin tonë në kuptimin e frymës edhe vlerës së tij, që ata të cilët kanë shumë nevojë, t’ju ndihmojnë më së shumti e më së pari dhe gjithashtu nuk paraqet reformën pensionale ende, të cilën do ta bëjmë në një të ardhme të afërt, në mandatin tonë të ardhshëm”, theksoi ai.
Ai përmendi edhe vizitën e tij në SHBA, ku tha se ka pasur takime të rëndësishme për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë.
Kurti bëri të ditur se ka takuar vende mosnjohëse të Kosovës, ku i ka njoftuar siç tha ai me progresin demokratik të vendit.
“Së fundmi, ishim edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Poloni, ku morëm pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York dhe më pastaj edhe në Forumin e Sigurisë në Varshavë. Takime të shumta bilaterale me shtete mike, aleate e partnere e kanë karakterizuar vizitën tonë, për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, teknologjisë e inovacionit, energjisë, sigurisë e mbrojtjes, por takuam edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse, për t’i njohur ata sa më gjerë e më gjatë, e më thellë me vendin tonë, me historinë tonë, me synimet tona demokratike e veriatlantike, për të afruar sa më shumë ato vende drejt njohjes së vendit tonë dhe vendosjes së bashkëpunimit e të marrëdhënieve bilaterale, sa më parë aq më mirë, ku edhe prezantuam edhe perspektivën tonë për realizimin e rritjes ekonomike e të progresit demokratik të vendit tonë. Këto vendet mosnjohëse pra, synojmë që t’i afrojmë, e ndërkohë me vendet të cilat na kanë njohur, t’i thellojmë raportet bilaterale edhe sa i përket investimeve ekonomike, shkëmbimeve kulturore e rritjes së volumit tregtar ne eksport e në importe”, përfundoi Kurti.