Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e tij për deeskalimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkret që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.
Në një adresim në gjuhën angleze në Facebook, Kurti tha se duhet të ndërmerren veprime urgjente për depërshkallëzimin e situatës në veri.
Përkitazi me këtë, ai tha se hapat që do angazhohen për t’i ndërmarrë janë reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës, derisa nënvizoi se zgjedhjet e parakohshme në veri do të aktivizohen vetëm nga një peticion për tërheqje përkrahur nga 20 për qind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës.
“Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon. Më konkretisht, hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim: 1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; 2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut; 3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja; 4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, tha ai.
Ai paraqiti edhe katër hapat që presin nga Serbia t’i ndërmarrë për deskalimin e situatës në veri. Ndër të tjera, ai tha se presin nga Serbia për reduktim të gatishmërisë së forcave të armatosura në nivelin më të ulët dhe heqjen e 48 bazave të përparme operative që ndodhen përgjatë kufirit.
“Ndërkohë nga Serbia presim si në vijim: Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre; 2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë; 3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit; 4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, shtoi ai.
Sipas tij në bazë të këtyre hapave deeskalimi i situatës në veri dhe normalizimi i marr dhënieve është i realizueshëm.
“Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra. Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj. De-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm, keni gatishmërinë dhe vullnetin tim”, përfundoi Kurti.
Këto propozime, Kurti theksoi se i ka bërë në takimin e fundit në Bruksel.