Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se pabarazia të luftohet në fëmijërinë e hershme.
Gjatë publikimin e raportit të monitorimit “Karta e Vlerësimit” nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), Kurti ka thënë se Qeveria ka siguruar që të rritet mbështetja për politikat sociale dhe të prezantohen skema të reja duke krijuar barazi që nga mosha e hershme.
“Të vetëdijshëm se ka shumë punë për të bërë ne parimisht kemi siguruar që të rritet mbështetja për politikat sociale dhe të prezantohen skema të reja, duke krijuar barazi nga mosha e hershme. Përqendrimi ynë ka qenë, që të mos lihet askush mbrapa, që pabarazia të luftohet në fëmijërinë e hershme. Ka 3 vite që kemi prezantuar shtesat për fëmijë nën moshën 16 vjeçare, të cilët i dyfishuam, e trefishuam sivjet dhe njëkohësisht shtesat për nënat lehona. Deri më tani kemi mbi 410 mijë fëmijë dhe afër 60 mijë nëna lehona që po përfitojnë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, drejtori i Zyrës për Qeverisje të mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini tha se kjo zyre ka ndërtuar platformën për të drejtat e fëmijëve e cila ofron të dhëna të përditësuara në fushën cilësorë të të drejtave të fëmijëve.
“Në kuadër të gjithë përpjekjeve të vazhdueshme për fuqizimin e sistemit të monitorimit të drejtave të fëmijëve në Republikën e Kosovës, zyra për qeverisje të mirë, zyra e kryeministrit, e ka ndërtuar platformën për të drejtat e fëmijëve e cila ofron të dhëna të përditësuara, në fushën cilësore të drejtave të fëmijëve, bazuar në publikimet që dalin nga konventa për të drejtat e fëmijëve”, ka shtuar ai.
Donjetë Kelmendi nga KOMF ka potencuar se ky raport është mjet për të unifikuar qëndrimet, pikëpamjet mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në vend.
“Qëllimi i raportit është monitorimi i pavarur i shoqërisë civile, për situatën e të drejtave të fëmijëve dhe mbulon fusha sikurse mirëqenia sociale, mbrojtjen e fëmijëve, zhvillimin në fëmijërinë e hershme, arsimin, shëndetin dhe drejtësinë për fëmijë…4:48 Ky raport është mjet për të unifikuar qëndrimet, pikëpamjet mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në vend”, ka potencuar ajo.
KOMF mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Kosovë.