UBT News

Kurti-opozitës: Vuçiq iu do fort juve, por s’jeni më ju në Qeveri

Kryeministri Albin Kurti po vazhdon polemikat me liderët e opozitës në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për dialogun me Serbinë dhe draftin e statutit të asociacionit, të propozuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor.

Kurti duke iu referuar dy partive opozitare, PDK dhe LDK, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po i dëshiron vetëm ata në dialog, andaj po kërkon vetëm zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

“Presidenti i Serbisë nuk po e dëshiron këtë draftin e asociacionit të emisarëve. Ai po dëshiron atë Zajednicën e juaj, po thotë se vetëm marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 dhe asgjë tjetër nuk e pranoj. Vështirësitë më të mëdha gjatë bisedimeve në Bruksel i kemi këto. Ai po iu lyp juve dhe po iu dëshiron juve nuk po e dëshiron draft-statutin e emisarëve, por po dëshiron marrëveshjen me juve. Po thotë ku janë ata, juve po iu do ai. Ju do fort juve ai, por s’jeni ju më”, tha ai.

Sipas tij shumica e deputetëve opozitarë po flasin sikurse të ishin delegatë në Këshillin e Përgjithshëm në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Shumicën e kohës, shumica e deputetëve po flasin sikur me qenë delegatë në Këshillin e Përgjithshëm në Lëvizjen Vetëvendosje. Pra, nostalgji për Albinin opozitar dhe të gjendet ndonjë kundërthënie të brendshme me të para shumë vjetëve. Së pari duhet të dilet prej atyre partive, për të ardhur në LVV, por unë nuk vendosi a ju pranojnë. Pastaj, në organet e LVV-së t’i diskutojmë këto gjëra. Ju s’keni qenë as atëherë me mua, nuk jeni as sot. Ju kam shpjeguar pafund herë, s’kam ndryshuar as koncept dhe as qëndrime, por gjatë kësaj rruge në pozita që i kam pasur nuk mund të kem strategjinë identike, ajo ka ndryshuar. Unë e bëj minimumin e pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të tij. Nuk do të isha në këtë gjendje po të mos ishin ato marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Ato janë trashëgimi e juaj”, theksoi Kurti.

Mirëpo, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Kurti po gënjen dhe se ka pranuar autonomi për serbët në Kosovë.

“Nuk e di sesi dua të sillem në mënyrë institucionale, por për të thënë drejt shkurt dhe shqip, po ju rren. Po ju mashtron dhe rren. E ka pranuar marrëveshjen e vitit 2013 në preambulë. Asociacioni ka kompetenca ekzekutive të marra prej komunave, ka gjykatë të arbitrazhit dhe jo Gjykatën Kushtetuese. E ka pranuar, po iu rren, dokumenti do të del, e di çfarë po flas. Po ju mashtron, ka dhënë autonomi dhe Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar dhe kërkon njohje de-facto dhe jo njohje de-jure. Dhe këtu flet jo-po, iu ka qenë juve, jo ata dhe iu flet masave”, deklaroi ai.

Duke ironizuar, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i tha kryeministrit Kurti që mos të shpalosë detaje për draftin e asociacionit, pasi do ta qortojë emisari evropian për dialogun Miroslav Lajçak.

“Më shumë dola t’i them kryeministrit, mos bie në provokime dhe të qorton Lajcaku pastaj. Mbaje fjalën dhe rri mirë se ata të rrahin shpinën dhe kjo po të pëlqen”, theksoi ai.

Exit mobile version