Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të hiqet dorë nga vendimi që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa në Kosovë, por tha se po respekton kërkesat e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje.
Kurti ka thënë se Qeveria e tij nuk do të ndërhyjë në vendimin e Bankës Qendrore, të cilën e ka quajtur të pavarur në zbatimin e rregullores së saj, të hyrë në fuqi më 1 shkurt.
“Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese – nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka thënë ai.
Gjatë intervistës në Bloomberg, Kurti u pyet se cili është qëllimi i tij final për serbët në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën e popullsisë.
Kurti tha se ai dëshiron që ata të integrohen në shoqëri, duke theksuar se shumica e tyre veçse e kanë bërë këtë, përmes pajisjes me letërnjoftime dhe pasaporta të Kosovës.
“Problemi nuk janë serbët e Kosovës, problemi është regjimi autokratik në Beograd, që është bashkëpunëtor rus. Është regjim që varet nga Kremlini. Ata janë duke e bërë këtë alarmimin para-apokaliptik, duke nxitur tensione etnike sepse ata duan të shkaktojnë probleme në rajon”, tha Kurti.
Ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke thënë se nevojitet një marrëveshje e nënshkruar me Serbinë sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas tij, tensionet e deritanishme nuk do të kishin ekzistuar po që se do të kishte njohje de facto dhe de jure të të gjithë rajonit nga Serbia, përfshirë edhe Bosnje e Hercegovinën.