UBT News

​Kurti: Nuk ka më kthim në periudhën e sundimit të krimit në veri

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur mbi rastin me keqpërdorimet me rezervat shtetërore, akuzat mbi blerjen e energjisë elektrike, raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai në emisionin Politiko të Kanal 10, ka thënë se Prokuroria është dashur të dërgojë hetues në zyrën e tij në kryeministri, për të marrë deklaratën e tij në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.

Kurti ka thënë se beson në përgjegjësinë e ministres në detyrë të MINT-it, Rozeta Hajdarit lidhur me akuzat për rezervat shtetërore.

“Gjithçka që ka thënë ministrja Rozeta Hajdari, pas ngritjes së aktakuzës, është vërtetë e saktë. Natyrisht, e marr përgjegjësinë e plotë si kryeministër. Unë besoj se prokuroria ka bërë shkelje dhe jo ministrja Hajdari… Nëse ka akterë të tjerë, ka sërish mënyra për t’i adresuar këto. Nuk ka të bëjë me përgjegjësinë e ministres Hajdari”, tha Kurti.

Për më tepër, kryeministri në detyrë ka hedhur poshtë akuzat për shkelje ligjore në kontratat njëburimore me tenderë.

“Nuk kemi bërë asnjë shkelje ligjore dhe kemi detyruar të tjerët të respektojnë ligjin. Ka vend për reforma të thella në Prokurimin publik, por kjo është një çështje për mandatin tjetër”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe mbi akuzat mbi importimin e rrymës nga EFT-ja, kompani serbe me pronar Vuk Hamoviq.

“Të gjitha janë dezinformata. Sa jam unë kryeministër, EFT-ja nuk e vazhdon avazin e vjetër. KEDS-i blen energjinë në treg. KEK-u nuk blen energji nga Vuk Hamoviq. EFT-ja nuk fiton në Kosovë, Vuk Hamoviq nuk fiton në Kosovë”, tha Kurti.

Gjithashtu, ai ka mohuar të ketë zbehje në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së. Ai tha se kritikën më të madhe që ka marrë si kryeministër nga ndonjë zyrtar i SHBA-së, ka qenë në fund të majit 2023, kur katër kryetarët shqiptarë të komunave në veri shkuan në zyrat e tyre.

“Ne jemi miq përkundër për kundër kritikave… Veprimi ynë ka qenë ligjor e parimor. Integriteti, sovraniteti shtetëror, paqja e rendi publik janë të panegociueshme. A ia ka vlejtur barra qiranë? Sot mendoj se ia ka vlejtur. Të gjitha strukturat paralele serbe i kemi mbyllur. Shërbimet e inteligjencës kanë bërë një punë të shkëlqyeshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë e kthimit të gjendjes paraprake në veri, duke thënë se Kosova çdo herë do të fitojë si shtet ndaj çdo organizate kriminale./S.K/KP/

 

Exit mobile version