UBT News

Kurti: Nuk besoj që ka luftëtarë të UÇK-së që janë kriminelë të luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se ai nuk beson që ka luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë kriminelë të luftës por që beson që kriminelë të luftës nuk ka vetëm në Serbi por ka edhe në Veri të Kosovës, në Bosnje e ndoshta edhe në Mal të Zi.

Kështu deklaroi Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kur u pyet edhe njëherë nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ableard Tahiri se kush janë kriminelët e luftës në Kosovë e që duhet të largohen nga institucionet.

Kurti tha edhe se këto deklarata nuk i ka bërë për të parën herë në Bruksel dhe se nuk i kupton reagimet e bëra nga opozita.

“Unë nuk besoj që ka luftëtarë të UÇK-së që janë kriminelë të luftës, por unë besoj që kriminelë të luftës nuk ka vetëm në Serbi, por ka edhe në Veri të Kosovës, ka edhe në Bosnje, ndoshta ka edhe në Mal të ZI. Aty nuk kam folur me shtetet, kam folur për rajonin sepse darka e punës nuk ishte bilateralë ishte mulateralë”, tha Kurti.

Kurti derisa kritikoi opozitën për paaftësi për kritikë, ai shprehi gatishmërinë për t’iu dhënë ide që ta kritikojnë qeverisjen e tij.

“Por më lejoni të them se unë këtu shoh një lloj paaftësie për të na bërë kritikë dhe ky është problemi dhe rreziku më i madh për qeverinë tonë është mungesa e kritikës. ” tha ai.

Kjo deklaratë nxiti reagimin e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri. Ai tha se halli i qytetarëve nuk është paaftësia e opozitës por paaftësia e qeverisë për të udhëhequr vendin në të ardhmen.

Exit mobile version