Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Polikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë sot mori pjesë në darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Para darkës së përbashkët kryeministri Kurti u takua me Përfaqësuesin e Lartë, Borrell, gjatë të cilit takimi ai konfirmoi interesimin dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian.
Në një adresim të shkurtër para fillimit të darkës, kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe progresit që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe se ai duhet të mbrohet me çdo kusht. Ai shtoi se me miqtë dhe kolegët tanë në Bruksel, duhet të diskutojmë për zbatimin e reformave në vendin tonë dhe në anën tjetër për nevojën për njohjen e Republikës së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse, ashtu që perspektiva evropiane të kthehet në integrim evropian.
Kurse pas darkës, kryeministri Kurti në deklarimin e tij para medieve tha se theksi i diskutimit ishte te raporti i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe nevojën e afateve për avancimin sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian. Kurse theksi i tij ishte te nevoja për liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe investimeve në ekonomi, të cilat e zvogëlojnë emigrimin dhe e rrisin punësimin posaçërisht të të rinjve.
Darka tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor bëhet nën organizimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, dhe shërben si mundësi e mirë për diskutim të përbashkët mbi zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bileteral me BE-në dhe rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.