Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur takimet zyrtare në Bruksel, të mërkurën.
Fillimisht ai është pritur në një takim nga homologun e tij belg, Alexander De Croo, për të vazhduar më pas me takimet në Komisionin Evropian.
Në këtë takim, kryeministri De Croo ritheksoi mbështetjen e Belgjikës për synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bislimi dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, e falënderoi kryeministrin De Croo për letrën e urimit me rastin e marrjes së detyrës, për mikpritjen, angazhimin dhe mbështetjen e dhënë Kosovës nga ai dhe shteti belg në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe transatlantik. Ai e njoftoi kryeministrin De Croo për përkushtimin dhe prioritetet e qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik, dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.
Në takim, kryeministri Kurti dhe kryeministri De Croo, diskutuan rreth mundësive dhe formave të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar midis dy vendeve, me vëmendje të veçantë te përfshirja e mërgatës sonë, e cila është integruar mirë dhe kontribuon në Belgjikë. U bisedua për vaksinat kundër COVID-19, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e tyre dhe mundësitë e mbështetjes së Belgjikës në këtë synim.
Në këtë takim morën pjesë edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj dhe ministrja këshilltare, Gjeneza Budima.
Më 28 prill, Kurti do të ketë kryesisht takime me komisionarë të fushave që janë më pak politike, por që mbulojnë sektorë për të cilët Komisioni Evropian beson se kanë rëndësi edhe për Kosovën.
Delegacioni i Kosovës pritet që të takohet të mërkurën edhe me Komisionarin evropian për Bujqësi dhe Zhvillim rural Janusz Wojciechhowski, atë për Drejtësi Didier Reynders, Komisionaren për Energji Kadri Simons, për Ekonomi dhe Financa Paolo Gentiloni dhe nënkryetarin ekzekutiv të Komisionit Evropian për Ekonomi Valdis Dombrovskis.
Gjatë ditës, Kurti pritet ta takojë edhe presidentin e Parlamentit Evropian David Sasolli.
Të enjten, ndërkaq, ai do t’i ketë takimet me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe me Përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell.
Kurti takimin me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel e ka zhvilluar në mënyrë virtuale të martën pasi ai është dashur të shkojë në një udhëtim jashtë shtetit me urgjencë.
Kurti do të ketë takim gjatë vizitës në Bruksel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.