Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nisi takimet me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel. Takime të tilla pritet të zhvillojë ndaras edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ato janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.
Kurti dhe Vuçiq po priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar. Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë.
Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.
Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor.
Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”.
Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.
Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë.
Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Edhe pse ka marrëveshje nga viti 2013 për të, zyrtarët në Prishtinë thonë se e tillë siç është, do të ndikonte keq në funksionalitetin e shtetit dhe kanë dalë me disa propozime të tjera për rregullimin e çështjeve të komuniteteve pakicë.
Por, si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja e rritën së voni trysninë mbi Kosovën për të formuar Asociacionin.
Derisa nga SHBA-ja thonë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për BE-në çështja se si bëhet Asociacioni dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog. /REL