UBT News

Kurti nga Ferizaj: S’janë zgjedhje të zakonshme, por referendum popullor për mbi 61 deputetë

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me kandidaten për deputete, Vjosa Osmani kanë marshuar drejt sheshit të qytetit të Ferizajt.

Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, ata bashkë me simpatizantë ferizajas kanë ecur në këmbë nëpër këtë qytet. Sipas Kurtit, kështu do të marshohet drejt zgjedhjeve të së dielës së 14 shkurtit.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti iu është drejtuar shkurt qytetarëve, duke u bërë thirrje për mobilizim për referendumin, siç e quan ai, të 14 shkurtit.

“Kësisoj do të marshojmë drejt 14 shkurtit që nuk është një palë zgjedhje të zakonshme me të cilat jeni mësuar, por referendum gjithëpopullor kur shumica popullore bëhet shumicë parlamentare, 61 deputetë e përpjetë. Për shkak të kushteve të pandemisë, neve po na duhet që të shkojmë në shumë tubime të vogla që ditën e 14 shkurtit ta kurorëzojmë me fitore. Prandaj tash do të vazhdojmë për Greme. Ne ju lutemi që të vazhdoni të takoni qytetarë në mënyrë që dalja me 14 shkurt të jetë masive”, ka thënë ai para qytetarëve.

Edhe më e shkurtë ishte Vjosa Osmani, e cila garon për deputete në listën e Vetëvendosjes.

“Faleminderit shumë për përkrahjen dhe mos u ndalni deri më 14 shkurt që të mos mbetet asnjë qytetarë pa votuar për ndryshim”, ka thënë ajo.

Kurti e Osmani gjatë ditës kanë vizituar edhe një fabrikë të ëmbëlsirave në Ferizaj.

Tubimi i qytetarëve në Ferizaj u mbajt pa respektim të masave anti-COVID.

Exit mobile version