Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar presion më të madh ndaj Serbisë për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës, nënvizoi se hapi i parë dhe më i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është nënshkrimi i njohjes de-facto.
Në panelin me titull “Ndërtimi i Bashkëpunimin Ekonomik në Kohë të Vështira”, Kurti përmendi edhe sukseset që sipas tij janë arritur në ekonomi gjatë qeverisjes së tij.
“Serbia është fqinji ynë më i madh. Kufiri me Serbinë është 381 kilometra dhe tani përbënë një rrezik sigurie por që mund të jetë një mundësi ekonomike. Për të shkuar atje duhet më shumë presion në Beograd për të nënshkruar marrëveshjen për të cilën jemi pajtuar. Gjithashtu na nevojitet integrimi evropian. Nuk mendoj se rajoni ynë mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në. Duhet të jetë drejt BE-së dhe me BE-në… Nënshkrimi i njohjes de-facto të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm”, tha ai.
Përkitazi me këtë, Kurti tha se Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim evropian.
“Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për integrim. Nëse i shkoni deklarimet në të gjitha vendet ka dallime se cila dëshiron të integrohet në BE. Kosova nuk pëlqen të përdorë këtë metaforën e kryeministrit Denkov. Ne nuk i përgatisim politikat ‘quantum’. Ne jemi me BE-në, ShBA-në dhe NATO-n, kemi vendosur sanksione kundër Federatës ruse dhe nuk kemi dilema se demokracia dhe zhvillimi duhet të shkojnë dorë për dore, prandaj presim me padurim të bashkëpunojmë”, shtoi Kurti.
Para të pranishmëve, Kurti bëri të ditur se rritja ekonomike gjatë këtij viti në Kosovë pritet të jetë 3.8 për qind. Ndërkaq tha se kanë ulur pabarazinë në paga në sektorin publik, derisa kanë rritur buxhetin për arsim, kujdes shëndetësor, bujqësi dhe mbrojtje.
“Ne ia kemi dalë të shtojmë çdo vit 1 miliard euro në ekonominë tonë. Paraardhësit tanë kanë pasur nevojë për tri vjet për të shtuar 1 miliard. Në vitin 2021 kemi pasur rritje 10 për qind, pastaj 5.2 për qind dhe këtë vit do të kemi rreth 3.8 për qind, gjithashtu ka rënie inflacioni këtë vit. Në janar të këtij viti ishte 12 për qind dhe muajin e kaluar ka rënë në 3.3 për qind. Kosova nuk është vend i madh por është shembull i mirë si liria bëhet zhvillim dhe si antikorrupsioni bëhet rritje”, theksoi Kurti.
Ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që hekurudhën Prishtinë-Durrës të përfshijnë në rrjetin transevropian.
Në anën tjetër, Komisioneri evropian për ekonomi, Paolo Gentiloni, theksoi nevojën për integrim rajonal ekonomik të Ballkanit Perëndimor, teksa si mundësi për këtë e përmendi Procesin e Berlinit.
“E para është përpjekja për të bërë atë që është e mundur për integrimin rajonal ekonomik. Më kujtohet kur shërbeja si kryeministër ne kishim një takim që e quajmë Procesi i Berlinit dhe në atë kohë ka pas një konkluzion me partnerët e Ballkanit Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal. E dyta është shumë ambicioze se çka përshkruajmë në këtë pako për t’u përpjekur për të bërë hapa përpara për tregun unik para pranimit formal në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Gjatë qëndrimit dyditor në Austri, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, siç thuhet në komunikatën qeveritare për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë.