Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në takim me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian theksoi se është tejet e rëndësishme që në Kosovë të ketë zgjedhje të reja.
Sipas tij, qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional.
“Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet”, thuhet mes tjerash në njoftimin e VV-së.
Në anën tjetër, ambasadori Szunyog nënvizoi rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve, një Kuvendi të aftë për të miratuar ligje, nevojën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, dhe nevojën për avancimin dhe zbatimin e agjendës së MSA-së.
Kurti bëri të ditur se agjenda evropiane e shtetit tonë është e rëndësishme për zhvillim dhe avancim të shtetit të Kosovës.
“Tani kur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19 dhe ndikimi që ajo po ka në ekonomi, më së shumti kemi nevojë për politika zhvillimore dhe mbështetëse për qytetarët dhe bizneset në vend. Ndërsa, për dialogun Kosovë-Serbi është i domosdoshëm një fillim i ri që procesi të ketë kredibilitet. E për këtë, duhet të ndodh demokratizimi dhe evropianizimi i dialogut, zëvendësimi i qasjes transaksionale me atë transformuese dhe transatlantike.Të dyja palët u pajtuan se është e nevojshme dhe e dobishme që të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, thuhet më tej në njoftimin e VV-së./UBTNews