Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog të cilin e falënderoi për bashkëpunimin e mirë dhe për përfshirjen dhe kontributin e tij përgjatë gjithë mandatit në diskutimet e brendshme dhe ato publike.
“Kryeministri veçoi dorëzimin në vitin 2022 të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave në vitin 2024, nivelin e lartë të përmbushjes së Agjendës e Reformave Evropiane (ERA 2) dhe vlerësimet pozitive në raportin e vendit për vitin 2022, si disa prej arritjeve të Kosovës në fushën e integrimit evropian, lëvizjes së lirë dhe reformave evropiane që janë shënuar gjatë mandatit të ambasadorit Szunyog”, thuhet në komunikatë.
Poashtu u theksua bashkëpunimi i mirë dhe mbështetja e rëndësishme e Bashkimit Evropian për Kosovën në ballafaqim me pandeminë Covid-19 dhe në tranzicionin energjetik.
Kurti i uroi ambasadorit Szunyog suksese në angazhimet e tij të radhës.
Ambasadori Szunyog mori detyrën e Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së më 1 shtator 2020./UBTNews/