UBT News

​Kurti në mbledhjen e dy kuvendeve: Mund të ketë akte sporadike terroriste në veri

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në veri të Kosovës “mund të ketë akte sporadike terroriste”, por që siç theksoi ai, nuk ka më burime të brendshme për cenimin e sigurisë. Në mbledhjen e dy kuvendeve që po mbahet në Prishtinë, Kurti theksoi se dy sulmet terroriste ndaj Kosovës nga Serbia e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin në NATO.

Shefi i ekzekutivit para deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë tha se rezultatet e deritanishme të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të prekshme për qytetarët.

Kurti theksoi se po punojnë që të ketë lëvizje pa asnjë kontroll të qytetarëve në kufi.

“Siç e ka thënë poeti dhe prozatori ynë i mirënjohur Primo Shllaku ‘kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është si kufiri ndërmjet dy barkusheve të zemrës’. E kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dy palëshe dhe po ashtu edhe për monitorimin e zbatimit të tyre. Komisionet e përbashkëta parlamentare, të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes të dyja vendeve besojnë se do të ndihmonin në këtë drejtim. Kemi punë përpara jo vetëm ndaj qytetarëve tanë por edhe për të ndihmuar për sigurinë e jetës së dinjitetshme tek shqiptarët në shtetet fqinje. Në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, por sidomos në Luginë të Preshevës në Serbi. Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuari në Evropë, prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk janë fajtor që janë autokton”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e dy kuvendeve që po mbahet në Prishtinë, Kurti tha se Kosova i gëzohet faktit që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat i Bashkimit Evropian. Kurti përmendi dy sulmet terroriste të Serbisë ndaj Kosovës, për çka tha se këto raste e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë dhe ky i fundit në kanalin e ujësjellësit Ibër-Lepenc nga veriu në jug, që vijnë nga e njëjta adresë Serbia, e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia dhe Rusia bashkë e kanë bërë këtë çështje urgjente – anëtarësimin e Kosovës në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës është në lartësinë e detyrës që kërkon standardet e aleancës dhe ne besojmë që Shqipërinë e kemi në krah të përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike ndaj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

Para deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti tha se është shtrirë sovraniteti në veri të Kosovës dhe se ka integritet territorial.

Sot që po flasim në Kosovë mund të ketë akte sporadike terroriste, por nuk ka më burime të brendshme që mund të na i cenojnë sigurinë apo stabilitetin. Terrorizmi i paramilitarëve të orkestruar dhe financuar nga Serbia është shprehje e pafuqisë së tyre. Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt në kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste. Por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre”, përfundoi Kurti.

Exit mobile version