Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, ku edhe ishte folës kryesor, njoftoi se ka folur për rolin e NATO-s dhe kërcënimin e autokratëve për Kosovën.
“Kënaqësi e madhe të nis ditën në Mbretërinë e Bashkuar me një fjalim kryesor në Konferencën e Mbrojtjes në Londër. Fola për rolin kritik të NATO-s dhe aleatëve demokratikë, si dhe për kërcënimin akut që autokratët paraqesin për sigurinë e Kosovës, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në tërësi”, ka shkruar Kurti në X.
Në fjalimin e tij, Kurti ka përmendur edhe kërcënimin e Rusisë dhe Serbisë ku tha se “armatimi i madh” i Serbisë është një tregues se ajo “synon përshkallëzim”.
“Ndërsa Republika jonë bashkëpunon në çdo sferë me partnerët e saj, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe BE, Serbia intensifikon bashkëpunimin e saj me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, citohet të ketë thënë Kurti.
“Demokracia ka nevojë për siguri në mënyrë që të lulëzojë. Sipas një studimi të kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, 87% e Kosovës mbështesin politikën pro BE-së dhe Pro Perëndimit. Kjo është përqindja më e lartë e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor”.
Siç ka njoftuar dje Zyra e Kryeministrit, Kurti do të zhvillojë një takim bilateral me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në këtë konferencë.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, Kurti do të zhvillojë takime edhe në Parlamentin britanik, si dhe do të ketë një bashkëbisedim me Drejtuesen Ekzekutive të Institutit ODI (Overseas Development Institute), Sara Pantuliano, për 25-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës.