Në këtë aktivitet, organizuar nga OJQ VoRAE, kryeministri Kurti pati mundësinë të dëgjojë së afërmi historitë e suksesit të Elmira Pajazitit nga Gjakova, Berat Thaqit po ashtu nga Gjakova dhe Qëndresa Ademit nga Fushë Kosova.
“Është kënaqësi që sot të dëgjojmë përvoja të paharrueshme të të rinjve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian. Kosova jonë është e mbushur me profesionistë të shumtë, në fusha të ndryshme e nga komunitete të ndryshme, të cilët jetojnë e veprojnë në vend. Këtë gjë, më së miri do të na e dëshmojnë me rrëfime, emocione dhe histori, të shoqëruara me sfida personale, folësit tanë kryesorë. Ata janë frymëzuesit për të gjithë dhe secilin prej nesh”, tha Kurti.
Duke folur rreth fushës së arsimit, kryeministri tha se Qeveria ka investuar 200 mijë euro në qendra mësimore si ndihmë për suksesin e nxënësve rom, ashkali dhe egjiptian, ka ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të këtyre komuniteteve.