Nga dhjetëra sektorë të ndryshëm, disa kompani nga Kosova dhe Austria kanë promovuar bizneset e tyre në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri që po mbahet në Prishtinë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova ka potencial për investime të huaja dhe është vendi më i mirë për të bërë biznes.
Ai para biznesmenëve austriakë dhe kosovarë ka folur edhe për mundësitë që i kanë kompanitë për të investuar në Kosovë.
Kurti veçoi ndërtimin e infrastrukturës, përkatësisht hekurudhës Prizren-Durrës, ku ftoi kompanitë austriake të investojnë.
“E përmenda historinë e Karl Gegës, sepse ka jetuar dhe vepruar në Austri, prandaj e dimë që duhet të kesh ekspertizë të madhe për të ndërtuar projekte të mëdha hekurudhore në botë. E shfrytëzoj rastin sot dhe ftoj kompanitë e mëdha austriake dhe qeverinë austriake që të na bashkëngjiten në projekte infrastrukturore që përfshinë edhe hekurudhat, të gjitha në harmoni të gjelbër evropiane. Siç e dini, duam të ndërtojmë hekurudhën Prizren-Durrës dhe na duhet ekspertizë teknike sikurse ajo e Karl Gegës, dhe pse jo ta emërtojmë këtë hekurudhë me emrin e tij. Kushdo që nuk e di se si të investojë në Kosovë ose të bëjë biznes në Kosovë, unë mund të them se këtu do ta keni një pasqyrë të qartë të bërjes së biznesit. Sipas raporteve ndërkombëtare, Kosova është një prej vendeve më të mira për të bërë biznes… Nëse keni qenë hezitues deri tani për të bërë biznes në Kosovë, mund t’iu siguroj se shumë prej faktorëve kryesorë kanë ndërruar dhe Kosova është bërë mjedis shumë më miqësor për bërje të biznesit”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për trendet pozitive ekonomikë në qeverisjen e tij, ku tha janë krijuar 25 mijë vende të punës dhe ka një normë të rritjes ekonomike mbi 10 për qind.
Në këtë forum, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka siguruar kompanitë austriake se Kosova ka parakushte dhe mundësi për investime, veçanërisht në sektorët e prodhimtarisë, bujqësisë, turizmit dhe në energjinë e ripërtritshme.
“Nën udhëheqjen e kryeministrit tonë Kurti, duke punuar në parimet e qeverisjes së mirë jemi të përkushtuar që të përmirësojmë dukshëm klimën e biznesit dhe investimeve, kjo është njohur në mënyrë të vazhdueshme nga FMN-ja, Banka Botërore, dhe po ashtu kohëve të fundit duke u bazuar në raportin që Kosova është përmirësuar për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Është e rrallë për një vend që të ngrihet kaq shpejt në indeks, por kjo konfirmon parimet kyçe dhe përkushtimin e qeverisë tonë për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe përparimit të qeverisjes së mirë”, tha Hajdari.
Ambasadori i Austrisë në Prishtinë Christoph Weidinger deklaroi se forumi ekonomik do të fuqizojë më shumë raportet biznesore Kosovë-Austri.
“Forumi ekonomik Kosovë-Austri, përbën një manifestim të mëtutjeshëm të raporteve të shkëlqyeshëm që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona. Austria që tashmë është investitori i katërt më i madh në Kosovë, forumi ekonomik do të fuqizojë edhe më tej raportet biznesore ndërmjet ndërmarrjeve nga Austria dhe Kosova. Duke krijuar kështu një situatë të fitimit për të dyja ekonominë e këtyre vendeve. Dua të theksoj po ashtu se edhe në forma të tjera raportet tona janë shumë të fuqishme. Në aspektin politik, Austria gjithmonë ka mbështetur aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, po ashtu edhe për liberalizimin e vizave”, tha Weidinger.