Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e mbajtur gjatë Forumit të Prespës shprehu edhe për një herë tjetër se nuk është dakord me nisma të tilla rajonale siç është ajo e Minishengenit Ballkanik.
Z. Kurti tha se nisma të tilla mund të kthehen në pengesë për t’u bërë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian, por edhe për të pasur marrëdhëniet e duhura transatlantike, pasi disa shtete të Minishengenit Ballkanik përkrahin Federatën Ruse në vend të NATO-s.
“Ajo që nuk duhet të bëjnë përkundrejt BE-së është t’u ikim përgjegjësive tona me veprime që krijojnë konfuzion mes nesh dhe t’u japim mundësi palëve të tjera t’i shfrytëzojnë. Kështu është edhe ideja e Novi Sadit për Minishengenin Ballkanik”, u shpreh kryeministri Kurti.
“Është një iniciativë pa vizion për rajonin dhe si të tillë Kosova e refuzon ashpër dhe i inkurajon të gjithë që të kthehemi në agjendën e BE-së dhe marrëdhënieve transatlantike. Pakënaqësia me bashkësinë evropiane nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n apo mbështesin Federatën e Rusisë”, shtoi ai.
Gjatë fjalës së tij, Albin Kurti ndau zhgënjimin për vendimin e Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku tha se ky është një mesazh dekurajues për rajonin.