UBT News

Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Është detyra jonë si liderë të avokojmë për më shumë barazi e drejtësi

Gjatë qëndrimit në Paris të Francës, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takime me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.

Në ceremoninë zyrtare të hapjes së Forumit të Paqes, ku ishin të pranishëm akterët më të rëndësishëm në qeverisjen globale, ndër ta edhe Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, kryeministri Kurti iu drejtua të pranishmëve me një mesazh.

“Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi progresistë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj, duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.

Për të katërtin vit radhazi, Forumi i Paqes në Paris mbledh aktorët më të rëndësishëm në qeverisjen globale, krerët e shteteve dhe qeverive dhe drejtues të organizatave dhe të kompanive të mëdha shumëkombëshe, si dhe disa aktorë të shoqërisë civile.

Edicioni hibrid që mbahet nga 11 deri më 13 nëntor, u organizua për të avancuar zgjidhje konkrete ndaj sfidave të mëdha të paraqitura nga pandemia COVID-19 dhe për të përmirësuar qeverisjen globale.

Exit mobile version