Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor, u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kreu i ekzekutivit tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, thuhet në komunikatën për media.
Kurti bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit të dënohet nga të gjithë.
Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, vendimi i fundit i Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit.
Bëhet e ditur se sa i përket çështjes së energjisë, Kurti foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord.
Ditëve të fundit katër vetura me targa RKS të qytetarëve serbë janë djegur në veri të vendit.