Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane me njohje reciproke. Kreu qeveritar në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder 25-vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, theksoi nevojën e bashkëpunimit të shumanshëm rajonal, pa sulme, agresione dhe diskriminime.
Ai para të pranishmëve tha se Kosova kurrë më e lirë dhe pavarur s’ka qenë. Sipas tij, vendi kurrë më i vendosur s’ka qenë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë me çdo kusht.
“Duam marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane me njohje reciproke dhe bashkëpunim të shumë anshëm në të gjithë rajonin tonë. Pa sulme dhe agresione, pa diskriminime dhe shfrytëzime….Kurrë më të lirë dhe të pavarur nuk kemi qenë. Kurrë më të vendosur sesa sot nuk kemi qenë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë tonë me çdo kusht. Me gjithçka dhe çdo njëri”, tha Kurti.
Ai tha se Kosova dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë kanë forcuar lidhjet me vendet e perëndimit, kurse sikurse para 25 vjetësh ashtu edhe sot Serbia qëndron e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë.
“Nga kjo histori duhet nxjerr mësime sikurse kemi bërë nga atëherë deri më sot. Kjo kuptohet më mirë nga rreshtimi gjeopolitik dhe gjeostrategjik i vendeve tona sot. Sikurse atëherë edhe tani Serbia e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kosova dhe populli i saj, bashkë me Shqipërinë në vazhdimësi ka shkuar duke forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Turqinë, Francën e Italinë dhe vende të tjera perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO është destinimi ynë ushtarak. Andaj sot po e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke qëndruar bashkë me aleatët tanë, njësojë sikurse me 12 qershor dhe sikurse në ditën e para të çlirimit”, shtoi Kurti.
Krahas kësaj, ai përmendi sakrificën e dëshmorëve dhe ushtarëve të lirisë për lirinë e Kosovës.
“Që nga fillimi i vitit 2023 dhe deri në mes të këtij viti ditë pas dite për aq sa ka zgjatur lufta e Kosovës i kemi përkujtuar në 25 vjetorët e tyre dëshmorët dhe ushtarët e lirisë dhe betejat e lavdishme të UCK-së. Kemi përkujtuar të vrarët dhe viktimat e të gjithë atyre masakrave. Kemi përkujtuar të zhdukurit me dhunë, viktimat e përdhunimit dhe torturat, pengjet dhe të burgosurit e luftës. Kemi kujtuar dhe denoncuar dëmet dhe shkatërrimit dhe krimet e luftës”, përfundoi ai.
Me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar dhe një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, në nder të 25 vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, ku pjesëmarrës janë edhe personalitete dhe figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.