Kryeministri Albin Kurti, në 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka thënë se Kosova ka ndjekur projektin që natyrshëm ka rrjedhë nga e kaluara.
Ai tha se Kosova e ka ndjekur rrugën e drejtë dhe kjo, sipas tij, është dëshmuar. Madje, Kurti tha se Kosva s’ka trima që kanë pushtuar, por ka veç dëshmorë të çlirimit.
“Politika me karakter publik, demokratike dhe universal nuk na lë të jetojmë një të ardhme që mohon arritjet e së shkuarës dhe as që redukton të tashmen në gjendje të shkuara, të afërta apo të largëta. Vetia publike e veprimtarisë sonë nuk duhet të na braktisë dhe nuk duhet të na lejojë të humbim udhën e integrimeve të drejta. Ajo duhet ta mbajë gjallë direktivën e qartë – nuk duhet të ndërtojmë paqe të korruptuara dhe as të lejojmë korrupsionin që të funksionojë në paqe. Ne mendojmë e perceptojmë sipas këtyre direktivave dhe konstatojmë se nuk kemi gabuar”.
“Ne kemi ndjekur projektin më të natyrshëm që rezulton nga historia, vullnetin dhe dëshminë më rrënjësore të vullnetit – dëshmorin. Ne nuk kemi trima pushtimi, por dëshmorë çlirimi. Në ditët dhe javët që po kalojmë ky mesazh është më i nevojshëm se kurrë. Cilido individ apo shtet që ndjek porosinë e dëshmorit çlirimtar nuk ia huq subjektivitetit të lirisë dhe as universalitetit të drejtësisë. Ne synuam integritet territorial jo për hir të mbylljes tonë, por për hir të paqes së drejtë. Shumë shpejt aktualiteti na e vërtetoi se qëndrimi jonë ishte i saktë dhe i drejtë”.
Shefi i qeverisë, në ceremoninë e Rreshtimit të Njësive Ushtarake të FSK-së, e ka përmendur edhe dialogun duke thënë se ngutia për ta përmbyllur atë mund të hapë rrugën për pazare.
“Ne synuam për gjatë viteve dialog me parime dhe shumë shpejt aktualiteti kontinental po na vërteton se ngutia për dialog pa parime është e tillë që bëhet për pazare. Kombet nuk janë monedhë e as mall në duart e shteteve dhe përfaqësuesve të tyre të lartë, veç në mos po flasim për Serbi, Rusi dhe Bjellorusi. Ne duam paqe afatgjatë andaj edhe nuk ngutemi dhe nuk vendosim data përfundimtare. Një dialog i imponuar dhe pa parime është një konflikt i ardhshëm me pazare”./ Klankosova.tv