Në ditën përkujtimore të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shpallur këtë vit nga Qeveria, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nderoi viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Me homazhe te memoriali Heroinat, kryeministri Kurti përkujtoi viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk janë më në mesin tonë, si dhe nderoi të mbijetuarat e të mbijetuarit për forcën e tyre të pashembullt.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendosi lule para memorialit, i cili përkujton mijëra gra dhe vajza, burra dhe djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, që është përdorur si armë lufte nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.
Në homazhe morën pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, Leonora Selmani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Në mbledhjen e 138-të, të mbajtur më 12 prill 2023, Qeveria e Kosovës në bashkërendim me Presidenten e Republikës së Kosovës, ka shpallur datën 14 prill si Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.