UBT News

Kurti nderon në New York vëllezërit Bytyqi: “Koha nuk e zbeh krimin”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në New York në kujtim të vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të cilët i ka përshkruar si luftëtarë të lirisë nga Batalioni Atlantiku, qytetarë amerikanë dhe dëshmorë të kombit shqiptar.

Kurti ka bërë të ditur se në homazhe ishte së bashku me familjen Bytyqi, kryebashkiaken e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe kolegë e bashkëpunëtorë.

“Vëllezërit Bytyqi, me veprat e tyre fisnike, përfaqësojnë vlerat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se sakrifica e tyre, sipas tij, nderon edhe mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, e cila i qëndroi pranë Kosovës gjatë periudhave më të vështira.

Kurti ka treguar se gjatë takimit, Ilir Bytyqi ka rrëfyer për burgosjen e tre vëllezërve të tij, transferimin, torturimin dhe vrasjen e tyre.

Sipas Kurtit, trupat e vëllezërve Bytyqi u gjetën më vonë në një varr masiv, ndërsa rasti mbetet një nga çështjet për të cilat, sipas tij, ende nuk është vendosur drejtësi.

“Kalimi i kohës nuk e zbeh krimin dhe as nuk e shuan detyrimin për përgjegjësi”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë për Yllin, Agronin dhe Mehmet Bytyqin.

Në fund, Kurti ka shprehur mirënjohje për Shtetet e Bashkuara dhe mërgatën shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës./A.K/

Exit mobile version