Gjurmë të çizmeve në drejtim të Serbisë e pranga plastike kanë gjetur institucionet e sigurisë në Leposaviq, ku njësitet speciale ushtarake serbe morën peng tre policë shqiptarë. E përkundër se për gjithë këtë ka fakte, kryeministri Albin Kurti, shprehi habinë për heshtjen e KFOR-it edhe një ditë pas këtij agresioni të Serbisë në Kosovë.
Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, apeluan bashkësinë ndërkombëtare që të bëjnë trysni mbi Serbinë për të ndalur agresionin ndaj Kosovës, dhe që të kthejë tre policët e rrëmbyer në territorin e Kosovës.
Duke thënë se ky akt cenon sovranitetin e Kosovës, Kurti theksoi se kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Sipas tij, me këtë akt policët e Kosovës kanë përjetuar hakmarrjen e Serbisë për arrestimin e kriminelit Milun Milenkoviq – Lune.
“Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, motive dhe apetite, nuk është se po na befason me sjelljen e saj, ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe deestabilizim, e kur nuk ka atëherë është e gatshme dhe sigurisht e aftë që t’i krijojë ato. Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është dëshmia më e qartë dhe më e freskët për këtë”, deklaroi Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka thënë po ashtu se marrja peng e policëve të Kosovës nga territori i tyre, prej njësiteve speciale serbe, mund të jetë edhe shkelje e Rezolutës 1244.
Duke vënë në pah se komandanti i Përgjithshëm i KFOR-it ka shpeshtuar përmendjen e Rezolutës 1244.
“Ne me partnerët tanë i ndajmë informatat mirëpo heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon as deeskalimit, as hetimit, as drejtësisë, nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, e dihet që Kosova është shtet me sipërfaqe relativisht të vogël, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare dhe po mund të jetë edhe shkelje e rezolutës 1244 por ne e përfaqësojmë Republikën e Kosovës, por është Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it Ristuçia i cili për çdo deklaratë e përmend nja dy herë rezolutën 1244, ko pyetje duhet t’i bëhet atij meqenëse ai në deklaratat e KFOR-it e ka shpeshtuar përmendjen e Rezlutës 1244 ndërkaq ne si institucione të Republikës së Kosovës e konsiderojmë Kushtetutën e vendit tonë dhe ligjin në fuqi si e drejtë dhe përgjegjësi e jona”, ka thënë Kurti.
Ai ka dhënë detaje edhe për atë se çfarë është gjetur në lokacionin ku ka ndodhur rrëmbimi i policëve të Kosovës.
“Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve dhe këpucëve të huaja e në drejtim të Serbisë por janë gjetur edhe prangat lidhëse plastike, pra si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar policia në Serbi kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne… Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti që as të nesërmen, me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarjeje e cila nuk ishte në mbrëmje por në mesditë, KFOR ende nuk del me shpjegim zyrtar se ku është ky vend, ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës, dhe e dini çfarë, edhe në këtë moment ne jemi në atë vend, nuk është Serbia, edhe automjeti, edhe ushqimi që kanë ngrënë policët, gjithçka është thellë në territorin e Kosovës”, tha Kurti.
Edhe ministri Sveçla tha se Serbia qëllimisht po i deformon ngjarjet në teren, duke pretenduar se gjoja “policët ndodheshin në territor të Serbisë”.
“Ditën e djeshme kam vizituar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja, i cili ndodhet rreth 1 km brenda kufirit tonë. Bëhet fjalë për një rrugë ku më herët ka pasur kontrabandë dhe pikërisht ajo rrugë është bllokuar nga ana jonë. Pra, rruga është e ndarë në mes, me dy gropa të njëpasnjëshme dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e Serbisë, ashtu siç propaganda e Beogradit thotë. Kjo është pastër një deformim i ngjarjeve në terren, për t’i ikur përgjegjësisë së tyre, realisht planit të tyre për kidnapim. Në këtë lokacion, në prapavijë në territor të Republikës së Kosovës ka pasur edhe drunj që kanë bllokuar rrugën me qëllim të bllokimit eventual të njësive asistuese të Policisë së Kosovës”, tha ai.
Ai ka dhënë edhe detaje të tjera për operacionin e djeshëm të njësive speciale ushtarake të Serbisë, derisa ka shtuar se ende nuk dihet se ku po i mban Serbia policët e Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme tha se të dy njësitet speciale serbe, ai anti-terror në kuadër të xhandarmërisë së Serbisë “SAJ” dhe njësiti special i ushtrisë së Serbisë “Kobra” kanë pasur numër shumë më të madh në zonën kufitare Bare – Tresave (Leposaviq) ku rrëmbyen tre policët e Kosovës.
“Dëshmitë janë të mjaftueshme se ka qenë një operacion mirë i organizuar pothuajse masiv i këtyre njësive speciale. Mund të them lirisht se në zonat kufitare, cilido shtet, mund të ndërmarrë hapa të këtillë kundër shtetit tjetër, nuk është diçka e paarrtishme, nuk është diçka, që fatkeqësisht prej Serbisë mund të na befasojë, por për vendet demokratike, është absolutisht e papranueshme. Kemi të bëjmë me dy vende, me dy situata të ndryshme prandaj edhe nuk dimë se ku policët tanë janë duke u mbajtur. Serbia qartazi është një vend jodemokratik… Patjetër, gjurmët tregojnë që ky ka qenë aksion i këtyre dy njësive speciale me numër shumë më të madh sesa që ju keni parë, apo sesa pjesëtarët e policisë kanë qenë”, ka thënë ai.
Duke folur për komentimin që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell i bëri arrestimit të kreut të të ashtuquajturës “Mbrojtja civile”, Milun Milenkoviq – Lune, kryeministri Kurti tha se “operacionet policore nuk janë punë e asnjë zyrtari evropian”.
“As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel, kjo është çështje e policisë hetuese, e njësisë që bënë arrestimin, e Prokurorisë së Shtetit… Veprimet operacionale se kur duhet të arrestohet dikush nuk janë punë e imja, besoj nuk janë as e asnjë zyrtari të BE-së në Kosovë. Sundimi i Ligjit në Kosovë është përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
E sa i përket zgjedhjeve të reja në komunat në veri të vendit, Kurti tha se ndërkombëtarët kanë premtuar se nëse bëhet aneksi i zbatimit në Ohër, serbët do të marrin pjesë në zgjedhje.