Kurti shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Norvegjisë për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në organizatat euro-atlantike.
Ai tha se luftimi i korrupsionit është përkthyer në zhvillim ekonomik dhe përparim demokratik të vendit, duke u bërë kështu kampione e demokracisë në rajon. Pasi prezantoi strategjinë 2022-2030 në fushën e energjisë, Kurti ftoi për investime të Norvegjisë në Kosovë, të cilat do të forcojnë më shumë marrëdhëniet bilaterale.
Në takim u bisedua edhe mbi situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç ‘rast kryeministri Kurti theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.
Ndërkaq, për sa i takon dialogut, Kurti vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne.