Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së fushatës së përbashkët vetëdijësuese të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Blloko urrejtjen. Fal Dashni.” (“Block the Hatred. Share the Love!”)
“Me Programin tonë qeverisës jemi zotuar të punojmë për një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me mundësi për të gjithë. Këtë do ta arrijmë duke promovuar dhe respektuar diversitetin dhe barazinë, si dhe duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut,” tha kryeministri.
Ai veçoi vendimin nga mbledhja e djeshme e Qeverisë, për miratimin e programit pesë vjeçar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
“Vendimet që marrim në jetë janë vërtetë zgjedhje dhe përgjegjësi individuale, por askush nuk duhet të vuaj për to për shkak të mungesës së lirive e të drejtave, por edhe mundësive,” tha kryeministri Kurti, duke theksuar se mundësitë e barabarta nuk vijnë vetëm nga garantimi i lirive dhe të drejtave, por edhe nga krijimi i parakushteve për rezultate dhe sukses.
Në këtë ceremoni të mbajtur në sallën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me fjalë rasti ju drejtuan të pranishmëve edhe z. Frank Power, Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, ambasadori Tomáš Szunyog, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian / Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Verena Taylor, Drejtore e Zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve të Këshillit të Evropës si dhe z. Naim Qelaj, Avokati i Popullit.
Fushata e nisur sot në Prishtinë “Blloko urrejtjen. Fal Dashni.” synon të informojë dhe edukojë shoqërinë dhe veçanërisht rininë, për rolin që secili ka në luftën kundër formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve dhe individëve të veçantë.