Në shënim të Ditës së Diasporës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bashkëbisedim me mërgimtarë, profesionistë të fushave të ndryshme, që po qëndrojnë në Kosovë.
Në këtë bashkëbisedim morën pjesë zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.
Në hapje të takimit, kryeministri theksoi se qeveria ka vëmendje të veçantë për mërgatën dhe kjo është reflektuar edhe në Programin e Qeverisë. Ai vlerësoi se mërgata është pjesë vitale e kombit, e cila ndodhet jashtë atdheut, por, patjetër se është brenda kombit.
“Këtë rëndësi kaq të madhe të mërgatës tonë, ne synojmë që ta shndërrojmë në prioritet në qeverisjen tonë në muajt e në vitet në vijim, duke e llogaritur mërgatën si pjesë thelbësore të zhvillimit të qëndrueshëm”, tha kryeministri Kurti.
Ai i falënderoi mërgimtarët për gjithë kontributin dhe rolin para, gjatë dhe pas luftës, para dhe pas shpalljes së pavarësisë dhe sot e kësaj dite.
“Sepse e dimë që nuk ka një popull tjetër në zhvillimet historike të të cilit mërgata ka pasur një rol kaq vendimtar. Ky është një borxh të cilin nuk do të mund t’ua paguajmë kurrë, veçse ajo çka zotohemi është që të punojmë bashkë për të mirën e përbashkët edhe tuajën atje, edhe tuajën kur të vini këtu edhe të qytetarëve të Republikës e të familjeve tuaja, të cilët ju i vizitoni shpesh gjatë vitit”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në përmbyllje të bashkëbisedimit me mërgimtarët.
Qeveria e Kosovës do të krijojë një program nacional për transferim të dijes dhe përvojës nga diaspora në Kosovë.
Zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i njoftoi të pranishmit se Qeveria është duke punuar në një strategji të re për diasporën, një projektligj të ri dhe zhvillimin e një koncepti për dialog me qytetarët tanë jashtë vendit. “Në këtë drejtim, ne po punojmë ta fuqizojmë rolin ndërmjetësues të diasporës në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar mekanizma për angazhim”, tha ajo.