Afër 800 mijë euro është kostoja e renovimeve të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, investim i përbashkët ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Të martën, këto hapësira u përuruan nën praninë e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kryeministri Albin Kurti tha se hapësirat e Klinikës Emergjente i janë nënshtruar një renovimi të tërësishëm, hapësira këto që do të jenë më lehtë të qasshme për stafin dhe qytetarët që marrin shërbime.
Kurti ka theksuar se tanimë “kushtet e punës janë në anën e mjekëve”, të cilët më herët përveç pacientëve, mjekët janë përballur edhe me kushtet e punës dhe vështirësitë e mëdha.
“Rreth 800 mijë euro janë investuar në klinikën emergjente. Një punë që është dashur të kryhet për pesë muaj, operatori ekonomik e ka kryer për tre muaj. Rritje të numrit të shtretërve nga 20 deri në 25. Më herët, përveç pacientëve, mjekët janë përballur edhe me kushtet e punës dhe vështirësitë e mëdha. Tani kushtet e punës i kanë në anën e tyre. Në sallën e operimit, tani ekzistojnë edhe kamerat, që domethënë operimi mund te përcillet edhe nga jashtë ne kohë reale”, ka thënë Kurti.
Bazuar në të dhënat në prokurimin publik, vlera e kontratës për rinovim të emergjencës është 779 mijë euro.